Sa herë të ndodh të pyesësh veten rreth vlerave ushqyese të ushqimeve që konsumon. Edhe pse shumë informacione janë thjesht një “google” larg, koha dhe barrierat e gjuhes ndonjëherë nuk premtojnë shumë. Prandaj, ne të Ferra & CO jemi zotuar që të sjellim sa më shumë informacione të bazuara në shkence dhe të publikuara nga buletinet më të besuara rreth globit.

Për orizin Basmati ka shkruar së fundmi The Times of India e cila rendit këto të dhëna:

Orizi Basmati e merr aromën e tij unike nga një koktej prej 100 përbërjesh të ndryshme si hidrokarburet, alkoolet, aldehidet dhe esteret. 2-acetil-1-pirrolina luan rolin kryesor në përbërjen e aromës.

Orizi Basmati mund të rritet vetëm në shtetet e Indisë Veriore të Punjabit, Delhi, Himachal Pradesh, Haryana, Uttarakhand dhe pjesë të Uttar Pradeshit perëndimor dhe J&K.

Gjatë gatimit, pothuajse dyfishohet gjatësia e kokrrës, por nuk fryhet ndjeshëm. Prandaj, ruan formën e saj të zgjatur edhe pas gatimit.

Orizi basmati përmban vlera të larta ushqyese sepse është i pasur me vitaminë B dhe elementë antioksidues. Ai përmban magnez, i cili kontribuon në funksionet mbështetëse të sistemit nervor, përveç selenit që forcon imunitetin e trupit dhe e mbron atë nga dëmtimet dhe sëmundjet dhe mikrobet e ndryshme.

Një studim i ri zbuloi se orizi Basmati parandalon formimin e shtresave të dëmshme yndyrore rreth arterieve dhe parandalon depozitimin e kolesterolit brenda tyre, gjë që redukton shanset për sëmundje të zemrës dhe sëmundje vaskulare.

Sipas Shoqatës së Diabetit të Kanadasë, orizi Basmati ka një indeks glicemik më të ulët se çdo oriz tjetër.  Indeksi i ulët glicemik është thelbësor për njerëzit me diabet. Sasia e mirë e fibrave, karbohidrateve, niseshtes, amilazës dhe proteinave në orizin Basmati e bën atë të ulët në indeksin glicemik. Nuk rrit sheqerin në gjak, që do të thotë më pak përgjigje ndaj insulinës brenda një vakti.